burimi Travelling Theater for Children and Youth

Artpolis dhe GIZ e çojnë Teatrin te nxënësit e të gjitha komuniteteve të Kosovës

Që nga e marta ka nisur udhëtimin e tij, “Teatri udhëtues për fëmijë dhe të rinj”- një projekt i cili u dedikohet nxënësve të shkollave fillore dhe shkollave të mesme të ulëta.

Qëllimi i këtij projekti është promovimi i arsimit cilësor duke përfshirë mësimin dhe zhvillimin e të menduarit kritik përmes artit- teatrit.

Shfaqjet teatrale të përgatitura enkas për këtë projekt do të shfaqen në shumë shkolla të Kosovës, për fëmijë të komunitetit shqiptar, serb, rom, ashkali e egjiptas.

Në kuadër të këtij projekti do të prezantohen 43 performanca në shkollat fillore dhe qendrat mësimore të komunave: Prishtinë, Fushë Kosovë, Shtime, Obiliq/Plemetin, Pejë, Istog, Klinë, Prizren, Graçanicë, Gjakovë, Vushtrri dhe Podujevë.

Regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, drejtoreshë e Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, ka thënë në një pronononcim për Kallxo.com se Teatri udhëtues për fëmijë dhe të rinj është një projekt që i dedikohet nxënësve të shkollave fillore dhe shkollave të mesme të ulëta fokus të veçantë te fëmijët e rikthyer në vendlindje, minoriteteve etnike dhe fëmijëve me nevoja të veçanta në mësim.

“Ky projekt përfshin përgatitjen dhe shfaqjen e 3 shfaqjeve forum-teatër të dedikuara për fëmijët e klasave 1-5 dhe 6-9 nga komunitetet shqiptar, serb, rom, ashkali e egjiptas”, ka thënë regjisorja Hoxha.

Janë tri shfaqje të përgatitura enkas për këtë projekt.

Shfaqja forum Teatër “Talent”, ku paraqiten ngjarje nga një klasë në shkollë, ku mësuesja inkurajon nxënësit/et e saj të prezantojnë talentet e tyre.

Kjo performancë i dedikohet nxënësve të klasave 1 deri në 5 të shkollave fillore, pas së cilës do të mbahet diskutimi në mes aktorëve, nxënësve dhe mësimdhënësve.

Regjinë dhe moderatori shfaqjes është Lulzim Bucolli ndërsa luajnë: Anisa Ismaili, Alban Goranci, Armend Ballazhi, Kaltrinë Zeneli dhe Qendresa Kajtazi. Kostumet dhe Skenografia janë bërë nga Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.

Në shfaqjen “Dashni e Paragjykim” personazhet vijnë me një vorbull të dashurisë së re dhe simpatike të shoqëruar me paragjykime dhe ngacmim nga shoqëria, por gjithashtu do t’ju kujtojë se çfarë roli ka stafi i shkollës; përgjegjësia dhe qasja që zgjedhin për të adresuar këto çështje e për të mos i neglizhuar ato.

Kjo performancë i dedikohet nxënësve të klasave 6 deri në 9 të shkollave fillore, pas së cilës do të mbahet diskutimi në mes aktorëve, nxënësve dhe mësimdhënësve.

Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Zana Hoxha Krasniqi, ndërsa luajnë: Mikel Markaj, Verona Koxha, Edlir Gashi, Kushtrim Qerimi dhe Donikë Ahmeti. Moderatore e diskutimit do të jetë Daniela Markaj, ndërsa kostumografia e skenografia janë bërë nga Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.

Ndërsa Shfaqja e tretë për fëmijët e komunitetit serb dhe rom “Kjo nuk Është e Vërtetë” është krijuar nga regjisori Zoran Ristiq me aktorët: Emilija Dimitrijeviq, Marija Veliq, Nemanja Popoviq, Nikola Veliq, Tamara Trajkoviq, Todora Dimitrijeviq. Kostumografia e skenografia janë bërë nga Yllëza Mazrekaj dhe Deltina Syla.

Ky projekt implementohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, dhe mbështetet nga GIZ “Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor në Kosovë (CDBE)”- komponenti për gjithëpërfshirjen në arsim të të kthyerve dhe pakicave etnike, që është pjesë e përkrahjes së Bashkëpunimit Gjerman në reformën e sektorit të arsimit në Kosovë.