Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë. Foto: Facebook

Arsyetimi i ministrit Ismaili, për mungesën e barërave esenciale

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar sqarim nga ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili,  lidhur me mungesën e barërave esenciale duke u bazuar në ankesa të pacientëve.

“Janë bërë që 10 muaj, që dhjetëra barëra të listës esenciale po mungojnë aktualisht në ShSKUK. Mungesat janë evidente në çdo spital regjional dhe në klinikat e QKUK-së”, tha ai.

Haxhiu pyeti se kur pritet që MSH, të siguroj furnizim 100 për qind me barna nga lista esenciale, që sipas tij është obligim i ministrisë.

Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë tha se një nga problemet kryesore në mungesat e paraqitura për barna dhe material shpenzues medicional nuk ka qenë vetëm buxheti i vogël, por edhe problemi shumë vjeçar me kontratat paraprake.

Sipas tij sasia e planifikuar nuk ka qenë sasia e duhur, nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Sasia e vogël me barna më të shtrenjta, kur kanë bashkëvepruar kanë sjell çrregullim shumë më të madh të furnizimit me barna”, tha Ismaili.

Sipas tij ka pas edhe mungesë të informative.

“MSH nuk ka pas informata reale në kohën e duhur. Informatat kanë qenë të fragmentuara, të pjesshme ose shpesh kanë munguar. Nuk kemi pas sistem të paralajmërimit se sa barna kemi në stoqe, kur janë gati të harxhohen dhe kur është koha të kontraktohen. Për një ditë kemi mbet pa 300 artikuj, 0 sasi në stoqe dhe pa kontrata të përgatitura”, ka treguar Ismaili.

Kjo ka kushtuar me mungesë të barnave sipas tij. Tani Ismaili tha se kanë bërë sistem elektronik, për secilën kontratë është vendosur menaxheri i kontratës dhe është bërë zotimi i mjeteve.