Milaim Zeka, NISMA.

Arsyetimi i Gjykatës për paraburgosjen e Milaim Zekës

Deklaratat se ‘do ta ndjek prokurorin Afrim Shefkiu me ligj e kanun’ i kanë kushtuar deputetit Milaim Zeka me caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjyqtari, Rrustem Begolli e ka aprovuar kërkesën e paraburgimit ndaj Zekës duke vlerësuar se pesha e veprës dhe rrethanat se si është kryer vepra penale e arsyetojnë caktimin e paraburgimit.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për caktimin e paraburgimit.

“Për veprën penale të kanosjes nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 ekziston dyshimi mirë i bazuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër e për këtë vepër penale është paraparë dënimi me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet dhe gjykata mendon se ekziston rreziku se po të gjendej i pandehuri në liri ai mund të përfundoj veprën që ka kanosur prokurorin “, shkruhet në aktvendimin për caktimin e paraburgimit ndaj Zekës.

Po ashtu në këtë aktvendim thuhet se duke marrë parasysh se i pandehuri ka kanosur Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afri Shefkiu i cili ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, kjo shton edhe më shumë rrezikun se i pandehuri do ta përfundoj veprën për të cilën është kanosur ta kryej, sepse arsyeja e kanosjes nga i pandehuri ka qenë ngritja e aktakuzës ndaj tij nga prokurori Afrim Shefkiu.

Gjyqtari Begolli, në aktvendimin e tij ka përmendur edhe rrezikun se i pandehuri mund ta paraqes ndaj rrjedhës normale të procedurës duke ndikuar tek prokurori Afrim Shefkiu i cili ende nuk e ka marrë në pyetje të akuzuarin.

Krejt në fund, Gjyqtari Begolli përmend edhe faktin se Zeka është edhe shtetas i Suedisë dhe se ekziston rreziku i ikjes.

KALLXO.com ka raportuar që nga momenti i arrestimit të deputetit Milaim Zeka, shkrimet mund ti lexoni në linçet e më poshtme:

https://kallxo.com/avokati-i-milaim-zekes-paralajmeroi-ankese-pas-caktimit-te-paraburgimit/

https://kallxo.com/paraburgim-per-milaim-zeken/

https://kallxo.com/prokurori-kerkon-qe-milaim-zeka-te-mbahet-30-dite-ne-burg/

https://kallxo.com/flet-avokati-i-milaim-zekes-arrestimi-i-deputetit-eshte-i-pabaze/