Fotografi nga dënimi për vrasjen e Zejnepe Berishës | Foto: KALLXO.com

Arsyet që i Ngritën Dënimin të Akuzuarit për Vrasjen e Zejnepe Berishës

Më 12 prill të këtij viti Gjykata Themelore e Prizrenit kishte shqiptuar 12 vjet burg ndaj Nebih Berishës për vrasjen e gruas së tij Zejnepe Berisha.

Nebih Berisha sipas prokurorisë në mbrëmjen e 23 tetorit të vitit 2015 duke përdorur një thikë kishte qëlluar për vdekje gruan e tij, ndërsa i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore vajzës së tij të mitur e cila ishte përpjekur të mbronte nënën e saj.

Dënimi prej 12 vjetësh burg për vrasjen që kishte tronditur opinionin në Kosovë ishte vlerësuar  joproporcional me peshën e veprës, teksa prokuroria dhe pala e dëmtuar kishin paraqitur ankesat e tyre në Gjykatën e Apelit lidhur me lartësinë e dënimit.

Ankesa në Gjykatën e Apelit kishte paraqitur edhe avokati mbrojtës i të akuzuarit, i cili pretendonte se Gjykata në Prizren kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa gjithashtu ishte ankuar se dënimi  i shqiptuar ishte shumë i lartë pasi nuk ishte marrë parasysh sa duhet aftësia e zvogëluar e të akuzuarit në çastin e kryerjes së veprës penale.

Përderisa Gjykata e Apelit pretendimet e avokatit mbrojtës i gjeti të pabazuara,  ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar u cilësuan si të bazuara.

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e prokurorisë dhe palës së dëmtuar, ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit duke i ngritur dënimin nga 12 vjet e 6 muaj në 17 vjet burg Nebih Berishës.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit këtë vendim e mori pasi konstatoi se Gjykata Themelore në Prizren gjatë matjes së dënimit nuk ka vepruar drejt.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penale juridike edhe pse i ka konstatuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese që i ka gjetur tek i akuzuari, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese ‘përgjegjësia esencialisht e zvogëluar’ të cilën e ka mbiçmuar, sidomos duke marrë parasysh minimumin dhe maksimumin e paraparë të dënimit për vrasje të rëndë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Më tej, Gjykata e Apelit gjen se Gjykata në Prizren nuk i ka vlerësuar drejt as rrethanat rënduese të të pandehurit.

“Nuk janë vlerësuar drejt në rastin konkret as rrethanat rënduese dhe atë sidomos mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari në prezencë të së miturës privon nga jeta tani të ndjerën Zejnepe Berisha, duke e goditur 20 herë radhazi në të gjitha pjesët e trupit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Fakti se viktima është goditur 20 herë, sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit tregon këmbëngulësi në kryerjen e veprës penale, njëkohësisht këtë e bën edhe mënyrë të vrazhdë dhe brutale.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit si rrethanë rënduese nuk lë pa përmendur edhe sjelljen e mëparshme të të akuzuarit ndaj të ndjerës para kryerjes së veprës penale.

Krejt në fund, Gjykata e Apelit konstaton si të drejta pretendimet e prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, ndërsa gjen të gabuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit lidhur me dënimin.

“Gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar realisht, e që me të drejtë potencohen edhe nga prokuroria dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, e që në krahasim me rrethanat lehtësuese , rezulton se dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren është shumë i butë”, konstatohet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Vrasja e Zejnepe Berishës kishte shkaktuar një reagim të gjerë në Kosovë, teksa ishin organizuar edhe marshe kundër dhunës ndaj grave duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të sigurojnë të drejtën themelore të grave, atë të jetës dhe të parandalojnë rastet e tilla si i Zejnepe Berishës.

KALLXO.com në vazhdimësi po raporton për rastet e dhunës ndaj grave dhe mënyrën e reagimit të organeve përgjegjëse për të ndaluar dhe sanksionuar këtë dukuri.

Turp Kombëtar: Kosova dhe Gratë e saj të Vrara

http://kallxo.com/vrasesit-te-zejnepe-berishes-rritet-denimi/

http://kallxo.com/seance-emocionuese-ne-gjykimin-e-vrasesit-te-zejnepes/

http://kallxo.com/12-vjet-burg-per-vrasjen-e-zejnepe-berishes/