Safete Tolaj. Foto: Kallxo.com

Arsyet pse Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin ndaj ish- gjyqtares Safete Tolaj

Gjykata e Apelit ka njoftuar sot se rasti ndaj të akuzuarve Fisnik Tolaj, Safete Tolaj dhe Granit Shehu është kthyer në rigjykim.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se as dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.

Në ankesën e saj Prokuroria ka pretenduar se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë  të drejtë dhe të plotë, si dhe sipas Prokurorisë, Gjykata nuk ka marrë parasysh as propozimin e prokurorit që të konfiskohet në mënyrë të përhershme dobia pasurore e paluajtshme.

Ndërsa lidhur më aktgjykimin dënues për  të akuzuarin Fisnik Tolaj, sipas Prokurorisë, lartësi e dënimit nuk ka qenë në proporcion me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Edhe ndaj të akuzuarit Granit Shehaj, Prokuroria pretendon se Gjykata ka vlerësuar gabimisht faktet kur ka marrë aktgjykim lirues.

Në ankesën e Prokurorisë thuhet se në rastin e marrjes së aktgjykimit lirues ndaj Granit Shehaj, Gjykata ka vlerësuar gabimisht faktet pasi që ka konstatuar se nuk është provuar fakti se i akuzuari Granit Shehaj e ka ndihmuar të akuzuarin Fisnik Tolaj në ushtrimin e ndikimit të gjyqtarja Safete Tolaj, edhe pse gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është kontestuar fakti se i akuzuari Granit është takuar më Fisnikun dhe Bashkim Hoxhajn në një kafiteri gjatë periudhës kohore kur i pandehuri Shaban Hoxha ishte në paraburgim, e që menjëherë pas këtij takimi masa e paraburgimit i ishte zëvendësuar me masën e dorëzanisë, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Gjykata e Apelit duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar nga palët në këtë procedurë e duke marrë parasysh edhe mendimin e Prokurorisë së Apelit ka gjetur se ankesa e Prokurorisë  Themelore në Ferizaj është e bazuar.

Sipas këtij aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com, kjo Gjykatë ka gjetur se dispozitivët e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë janë të pakuptueshme, në kundërthënie me vetveten dhe me arsyet e paraqitura në aktgjykim nuk paraqitet në përmbajtjen e aktgjykimit, lidhur me shkresat dhe procesverbalin dhe deklarimeve të dhëna në procedurë. Si për pjesën dënuese ashtu edhe për pjesën liruese lidhur me të akuzuarin Fisnik Tolaj si dhe për pjesët liruese ndaj të akuzuarës Safete Tolaj dhe të akuzuarit Granit Shehaj.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit për pjesën liruese të aktgjykimit lidhur me të akuzuarit Fisnik Tolaj, Granit Shehaj dhe Safete Tolaj, Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar se në cilën bazë i ka liruar të akuzuarit por vetëm konstaton se ata janë liruar në mungesë të provave, pa e cekur fare se cilat ishin ato prova në bazë të të cilave janë liruar të akuzuarit.

Prandaj Gjykata e Apelit më anë të këtij aktgjykimi me të cilin ka vendosur rastin ta kthejë në rigjykim i rekomandoi gjykatës së shkallës së parë që në rigjykim të këtij rasti Gjykata Themelore e Ferizajt duhet t’i evitojë shkeljet e sipërpërmendura, t’i administrojë edhe një herë të gjitha provat ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj lidhur me veprën penale ushtrim i ndikimit, në mënyrë që të konstatojë se a bëhet fjalë për ndonjë vepër tjetër penale, të vendosë për konfiskim dhe varësisht prej vlerësimit të provave në lidhshmëri me njëra tjetrën të nxjerrë përfundime të drejta dhe të qarta e të bazuar në ligje.