Arsyet pse Adem Grabovci e 'Pronto' do gjykohen krimet e rënda(Dokument)

Në prill të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 11 personave në rastin e njohur si “Pronto”. Kjo aktakuzë ndonëse fillimisht u adresua në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës,  e pastaj u vendos që kjo lëndë do të trajtohet nga departamenti i përgjithshëm i kësaj Gjykate.

Ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës çështjen e barti në Gjykatën e Apelit e cila vendosi që aktvendimi me të cilin ishte shpallur jo-kompetent Departamenti i Krimeve të Rënda ishte i pabazuar në ligj dhe përfundimisht vendosi që kjo çështje duhet të trajtohet nga Krimet e Rënda.

KALLXO.com ju sjell ekskluzivisht arsyetimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me këtë vendim.

Vendimi  i Apelit qysh në fillim të arsyetimi e vlerëson si të pabazuar vendimin e Themelores duke ritheksuar se është evidente që vepra për të cilën është ngritur aktakuza nuk bie në kompetencë të Krimeve të Rënda  sipas dispozitës së nenit 15 të Ligjit për Gjykatat dhe nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale, megjithatë vendimi gjen se po sipas nenit 15 bënë përjashtim.

“Çfarëdo krimi që nuk gjendet i listuar në këtë nen i cili bie nën kompetencën ekskluzive apo vartëse të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës siç përcaktohet në Ligjit mbi Zyrën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet ne në paragrafin 1.20 të nenit 15 të Ligjit për Gjykatat në Kosovë.

Po ashtu Apeli ka gjetur se vepra për të cilën është ngritur kjo aktakuzë, shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës bie në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

“Vepra penale që është objekt i akuzës në këtë çështje penale  bie në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës sipas dispozitës së nenit 441 të Kodit të Penal të Kosovës”, thuhet në vendimin e Apelit.

Paragrafi 2 i nenit 441 të Kodit të Penal të Kosovës parasheh që Prokuroria Speciale e Kosovës ndër të tjerë është kompetente është për hetimin e veprës penale të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës.

Saktësisht më 6 prill të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 11 personave.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Deri më tani nuk është mbajtur ende shqyrtimit fillestar në lidhje me këtë rast edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 muaj ndërsa Kodit i Procedurës Penale të Kosovës parasheh afatin 30 ditë kohë për mbajtjen e shqyrtimit fillestar pas mbajtjes së aktakuzës.

Pjesë e kësaj aktakuze janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare mes tyre edhe  ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti dhe persona të tjerë me funksione publike.