Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të të akuzuarve si pjesë e "Syrit të Popullit" | Foto: KALLXO.com

Arsyet e Mbylljes së Gjykimit Ndaj të Akuzuarve të ‘Syrit të Popullit’

Seanca fillestare e gjykimit të dhjetë personave që akuzohen se i takonin organizatës “Syri i Popullit” e mbajtur dje ishte mbyllur për publikun.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Naime Krasniqi, me të cilin janë përshkruar arsyet e mbylljes së seancës për publikun.

Sipas aktvendimit të siguruar, shqyrtimi ishte mbyllur me qëllimin e “ruajtjes së informacionit të fshehtë”.

“Përjashtohet publiku gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe atë pasi kemi të bëjmë me ruajtjen e informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi i hapur”, thuhet në dispozitivin e aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com.

Më tej, në dispozitiv thuhet se gjykimi ishte mbyllur edhe “për të ruajtur jetën personale dhe familjare të Avni Llumnicës, i cili akuzohet edhe për dhunim”.

Në përshkrim të aktvendimit thuhet se propozimi për mbylljen e shqyrtimit është bërë nga prokurori Sylë Hoxha, ndërsa është kundërshtuar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

10 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Murat Jasharit, njërit nga të akuzuarit e këtij grupi i është caktuar trajtimi psikiatrik.

Murat Jashari e Avni Llumnica u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi që ishte njëri nga udhëheqësit kosovarë të periudhës komuniste.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.