Foto: KALLXO.com

Arsyet e lirimit nga paraburgimi të policit dhe profesorit, të dyshuar për skandalin seksual me nxënësen nga Drenasi

KALLXO.com dje ka raportuar se me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës ua ka ndryshuar masën e sigurisë dy të dyshuarve për keqpërdorim seksual me të miturën nga Drenasi.

Polici dhe Profesori, të dy të dyshuar për skandalin seksual me nxënësen nga Drenasi që nga dita e djeshme janë liruar nga paraburgimi dhe do të qëndrojnë në arrest shtëpiak.

Lidhur me kërkesën për zbutje të masës së sigurisë, KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin e  çështjes Ruhan Salihu i cili për redaksinë tonë ka thënë se arsyeja e kërkesës për ndryshimin e masës ka qenë për shkak se Prokuroria i ka përfunduar të gjitha hetimet për këtë rast dhe se tashmë nuk ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitar.

“Kanë ndryshuar rrethanat, së pari kanë përfunduar hetimet, nuk pres më asnjë hetim tjetër, janë dëgjuar të gjithë dëshmitaret, kanë kaluar tre muaj që gjendet në paraburgim dhe dispozitat ligjore përcaktojnë se në momentin që pushojnë kushtet për të cilat caktohet masa e paraburgimit si masa më e rëndë atëherë të nderprehet paraburgimi ose të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër”, tha për KALLXO.com prokurori Ruhan Salihu.

Prokurori i rastit, për KALLXO.com gjithashtu zbuloi se pas marrjes në pyetje asnjë nga të dyshuarit e përfshirë në skandalin e Drenasit nuk e ka pranuar fajësinë por tha se Prokuroria ka mjaftë prova që provojnë fajësinë e tyre prandaj tha se aktakuza do të ngritët shumë shpejtë.

“Asnjë nga të dyshuarit nuk e kanë pranuar veprën, ata janë munduar me u arsyetu, kemi prova dhe besojë që shumë shpejtë do ta ngritim aktakuzën”, deklaroi prokurori.

https://kallxo.com/gjykata-tregon-arsyet-per-paraburgimin-e-policit/