Kuvendi i Kosovës

Arsyet e dështimit të rezolutës për dialogun sipas opozitës

 

Partitë në pushtet dhe opozita, nuk arritën që ditën e djeshme ta harmonizojnë një qëndrim të përbashkët lidhur me parandalimin e paraqitjes në Bruksel të idesë për korrigjimin e kufirit të Kosovës.

Pas dështimit të votimit, pasi Kuvendit nuk arriti dot t’i bëj votat për ta kaluar rezolutën, subjektet politike opozitare kanë dalë me reagime sa i përket mungesës së votave në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se katër deputetë të tyre nuk kanë mundur të jenë prezent në seancë.

Hoti ka thënë se deputetët e kanë njoftuar paraprakisht për mos prezencën e tyre në seancë.

“Katër deputetë të LDK sot nuk kanë pasur mundësi të jenë në seancë për të votuar. Të katërtit më kanë njoftuar paraprakisht për pamundësinë e prezencës së tyre në seancë. Kjo është e vërteta. Stafi i Grupit Parlamentar është kurdoherë i gatshëm dhe në dispozicion të mediave për informim të drejtë e të plotë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Nërkaq, një deputete e Lëvizjes Vetëvendosje e ka arsyetuar mungesën e saj në Kuvend. Bëhet fjalë për deputeten, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Kollçaku përmes një postimi në profilin e saj në Facebook tha se pas debatit të së mërkurës është ditur se votimi  do të jetë negativ.

“Pas debatit tetë orësh, dje, nuk kishte vullnet politik që të votohej Rezoluta e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, LDK-së dhe Alternativës. Sot, paraprakisht është ditur se rezultati i votimit do të jetë negativ, bazuar në paralajmërimin e përfaqësuesve të pozitës. Për shkaqe objektive, sot nuk isha pjesë e seancës, mirëpo qëndrimi im rreth kësaj çështjeje është shumë i qartë dhe si dëshmi për këtë, po e postoj fjalën time gjatë seancës së djeshme”, tha ajo.

Kurse Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu u mburr me faktin se 12 deputetë të këtij subjekti votuar për rezolutën e dialogut.

Sejdiu tha se Partia Socialdemokrate është e vetmja që ka votuar sot unanimisht për rezolutën në fjalë.

“Presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet për ta bartur procesin e dialogut. Kjo përgjegjësi i takon Kuvendit të Republikës, prej ku duhet të burojnë platforma shtetërore, ekipi dhe mekanizmat mbikëqyrës. Koha po dëshmon se opsioni i Partisë Socialdemokrate i propozuar para disa muajve mbetet propozimi më serioz dhe më përmbajtësor për procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar ndër të tjerash Sejdiu në rrjetin social Facebook.

Në seancën e djeshme për rezolutën e përbashkët në sallë ishin 75 deputetë dhe vetëm 50 votuan për.

Dy ditë debat, zero rezultat

 

https://kallxo.com/thaci-i-mbijeton-votimit-ne-kuvend-per-kufijte/

.