Arsim Bajrami: Edukimi të Mbrohet nga Korrupsioni

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka adresuar korrupsionin në fushën e arsimit duke kërkuar luftimin e kësaj dukurie.

Në një hulumtim të realizuar nga Lëvizja FOL ka dalë se 73 për qind e studentëve në Kosovë mendojnë se korrupsioni është problem kryesor në Kosovë dhe mësimdhënësit kanë ndarë pothuajse të njëjtin mendim me 69 për qind.

Ndërkohë 54 për qind e studentëve janë shprehur mesatarisht të kënaqur me sistemin arsimor në Kosovë.

Duke iu referuar hulumtimit rreth përvojave të të rinjve në fushën e korrupsionit në edukim, Bajrami ka pranuar se ekziston korrupsioni në shkolla të cilin ai e quan shkelje të etikës profesionale.

“Manifestimi i korrupsionit është në forma specifike, pra nuk kemi në shkolla marrje e dhënie ryshfeti sepse nuk kemi tenderë, por janë disa forma që shprehen si shkelje të etikës profesionale”, vlerësoi Bajrami.

James Hope nga USAID theksoi rëndësinë e arsimit cilësor dhe zhvillimin e mendimit kritik për gjeneratat e reja dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne të gjithë duam një edukim kualitativ për të rinjtë në Kosovë. Ne duam që ata të kenë aftësi të cilat ju duhen që të lulëzojnë në të ardhmen, edhe aftësi të forta teknike por edhe aftësi të buta të mendimit kritik dhe aftësi analitike. Kjo është ajo për të cilën ka nevojë Kosova nesër”, tha Hope.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL ka thënë se fokusi i hulumtimit të tyre kanë qenë shkollat e mesme për ta parë vlerësimin  e të rinjve për korrupsionin në Kosovë.

“Për ne ka qenë interesante që të shohim fokus grupet e veçanta, në këtë rast t’i marrim nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe mësimdhënësit dhe të shohim se çfarë mendojnë ata në lidhje me njohuritë për korrupsionin por edhe përvojat që kanë në mënyrë direkte”, tha Zogaj.