Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq - Foto: Beta

Arsenal Armësh Afër Shtëpisë së Vuçiqit

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha të shtunën se policia ka gjetur disa granata dore, bazooka dhe një sasi të madhe municioni për mitralozë dhe snajperë, të fshehur në një pyll afër shtëpisë së familjes së kryeministrit Aleksandër Vuçiq, afër Beogradit.

“Është tepër shqetësuese që armët (e fshehura) ishin afër një kthese, ku vetura e kryeministrit lëvizë me shpejtësinë më të vogël… Është një distancë ideale, prej afro 50 metrash, që të përdoren armë të tilla”, tha Stefanoviq mbrëmë.

Stefanoviq deklaroi se kryeministri është dërguar në një vend të sigurt dhe se hetimet do të zgjasin gjatë tërë natës.

“Kryeministri asnjëherë nuk dëshiron të flasë për sigurinë e tij, ai flet për ekonominë… pensione e paga, por unë dua t’u them njerëzve se edhe pse gëzon mbrojtje fizike, që nuk është e mjaftueshme dhe duhet të ketë edhe mbrojtjen e inteligjencës (shërbimeve) dhe unë do të shkoj të kërkoj informacione (prej tyre)”, ka thënë Stefanoviq.

Ndërsa, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, u bëri thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e kryeministrit për vigjilencë të shtuar duke marrë parasysh, siç shkroi ai, përshkallëzimin aktual të presionit në Serbi.

Më 25 tetor, kryeministri malazez Milo Gjukanoviq tha se autoritetet në Podgoricë do të hetojnë shkallën e përfshirjes ruse dhe serbe në një përpjekje për grusht shteti të dyshuar atje.

Njëzet persona, duke përfshirë ish-komandantin e Xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiq, u arrestuan në Mal të Zi më 16 tetor nën dyshimin se po planifikonin ta rrëzonin nga pushteti Gjukanoviqin.

Më 24 tetor, kryeministri Vuçiq tha se autoritetet serbe kanë arrestuar disa persona të dyshuar se po planifikonin akte të kundërligjshme në Mal të Zi ashtu siç pretendonte Gjukanoviq. Megjithatë, ai këmbënguli se ata nuk kishin lidhje me shtetin serb por me një vend të tretë, të cilit nuk ia përmendi emrin.

Kryeministri serb po ashtu tha se në Serbi është rritur numri i anëtarëve të “agjencive të fuqishme të huaja të inteligjencës”, nga Lindja e Perëndimi. Ai tregoi se një zyrtar i lartë policor është arrestuar për “zbulim të informatave konfidenciale” në të mirë të një shërbimi të huaj të zbulimit.

Të enjten, gazeta serbe “Danas” raportoi se Serbia ka dëbuar disa rusë nën dyshimin se ishin të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme në Mal të Zi. BIRN nuk ka mundur të konfirmojë këtë informacion në mënyrë të pavarur.

Dëbimet ndodhën ndërkohë që shefi i Këshillit të Sigurisë të Federatës ruse, Nikolai Patrushev vizitoi të mërkurën Serbinë, ku bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet agjencive të inteligjencës të dy vendeve.