FOTO: Ilustrim

Arrestohet tiranasi për thirrje publike për kryerjen e veprave terroriste

Specialistët e Drejtorisë se Antiterrorit të Policisë së Shqipërisë pas një hetimi dyvjeçar kanë arrestuar 29-vjeçarin E.U, i cili në adresën e tij në Facebook ka publikuar dhe shpërndarë video e pamje filmike që, sipas Policisë së Shtetit, nxisin dhe propagandojnë veprat penale me qëllime terroriste.

Gjatë kontrollit të banesës se tij në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi fishekësh luftarakë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat penale: Stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste; nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

I dyshuari ishte proceduar më parë për veprat penale – dhunë në familje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.