Ilustrim

Arrestohet Shtetasi i Shqipërisë, Kapet me 40 Kg Drogë

Një person me inicialet A.M., shtetas i Shqipërisë, është arrestuar nga Policia Kufitare në Vermicë pasi që i janë gjetur rreth 40 kilogramë marihuanaë, e cila mendohet se ishte e destinuar për tregun kosovar.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje në mëngjes, kur pjesëtarët e Policisë Kufitare kishin vërejtur afër bregut të liqenit një person duke lëvizur në këmbë nga Republika e Shqipërisë në drejtim të Kosovës.

“Personi i dyshuar (A.M. -1977, shtetas i Shqipërisë) është vërejtur se posedonte (të ngarkuara) me vete disa qese të dyshuara prej najloni dhe me të vërejtur këtë njësia policore ka ndërmarrë veprime taktike për arrestimin e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari ngarkesën e tij e kishte hedhur në tokë dhe kishte filluar të ikte në drejtim të pjesës malore, mirëpo u arrestua nga Policia.

Policia ka arritur të sekuestrojë edhe ngarkesën e dyshuar të cilën e kishte hedhur i dyshuari, e cila ishte e vendosur në tre thasë të mëdhenj.

Gjatë kontrollit dhe verifikimit të thasëve janë vërejtur 60 paketime të mbështjella, në të cilat kishte lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha totale e substancës së dyshuar për narkotik të llojit marihuanë arrin rreth 40 kg.

Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë.