Autostrada "Ibrahim Rugova" - Foto: Ministria e Infrastrukturës

Arrestohet Shoferi pasi Provoi të Japë Ryshfet

Policia Regjionale e Prizrenit njoftoi se të mërkurën në një pikë kontrolli në Autostradën “Ibrahim Rugova” një shtetas shqiptar kishte provuar të japë ryshfet për kundërvajtjen e kryer.

Rasti kishte ndodhur rreth orës 21:40 minuta në hyrje-dalje të autostradës në veri kur u ndalua nga policia për tejkalim shpejtësie një automjet me targa të Shqipërisë.

“Gjatë procedurave të kontrollimit të dokumenteve, shoferi kishte ofruar një bankënotë prej 20 eurove në formë ryshfeti për mosshqiptimin e gjobës”, tha zëdhënësi i policisë prizrenase, Hazir Berisha.

Berisha, po ashtu njoftoi se shoferi i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për inicimin e rastit dhe paratë e ofruara janë sekuestruar në cilësi të provës materiale.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i sekuestrohet dokumenti i udhëtimit me qëllim që i njëjti të paraqitet në prokurori për procedura të mëtejme.

Edhe dje KALLXO.com shkroi për një tentativë korruptimi të policëve me pesë euro për të kaluar në Pikën Kufitare “Dheu i Bardhë” një automjet pa dokumente të rregullta.