Ilustrim

Arrestohet serbi i dyshuar për sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës

Një person është ndaluar dje në vendkalimin kufitar Dheu i Bardh, nën dyshimin se ka kryer veprat penale sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mashtrim.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari serb, S.A., 62 vjeçar, në dy fshatra, Osojan të Istogut  dhe Gorazhdec të Pejës, ka shpërndarë tek dy persona pamflete me përmbajte të ndjelljes së frikës, me porosi për vrasje, grabitje dhe maltretime pjesëtareve të komunitetit serb në Kosovë, me qëllim që këto veprime të kundërligjshme t`u vishen popullatës shqiptare dhe para faktorit ndërkombëtar t’i paraqes si fajtor, duke i kontribuar destabilizimit të situatës së sigurisë.

Policia ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të RKS-së, është kryer kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë relevante, nëntë fletore të ndryshme me shënime, tri vula të ndryshme, një kopje e një diplome, shtatë dokumente të ndryshme, një vizitë-kartë, dy zarfe me dokumente, katër telefona celularë, një çantë dore ngjyrë kafe me pesë vula të ndryshme, një çantë e zezë krahu me dokumente të ndryshme si dhe dy fletore me shënime.

Ndaj të dyshuarit është lëshuar akt-vendimi për ndalim prej  48 orëve.