Arrestohet Rojtari i Prokurorisë, Shpërndante Pornografi në Internet

Një punëtor i sigurimit i caktuar me detyrë për të ruajtur Prokurorisë e Gjakovës është arrestuar me dyshimin se ka shpërndarë materiale pornografike të fëmijëve në internet.

Lajmi për arrestimin është konfirmuar për KALLXO.com nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.

“Pas disa muajsh hetime nga Drejtoria për Krime Kibernetike, policia ka arrestuar punonjësin e sigurimit të prokurorisë me dyshimin se i njëjti është marrë me publikimin në internet të materialeve pornografike të fëmijëve”, ka thënë Selimaj.

Ai u shpreh se i arrestuari është punonjës i një kompanie private e cila merret me sigurimin e objektit të prokurorisë.

Sipas kryeprokurorit të Gjakovës, punëtorit të sigurimit i është shqiptuar masa e sigurisë prej 48 orësh ndërsa në materialet e publikuara nuk shihen fëmijë nga Kosova.