Arrestohet polici i dyshuar për 500 gramë kokainë, suspendohet një polic tjetër

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një zyrtar policor për posedim të substancave narkotike të llojit kokainë.

IPK ka sqaruar se si u arrestua zyrtari policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës përmes rrugëve operative kishte pranuar disa informacione lidhur me dyshimet e kryerjes së veprës penale ““Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga një zyrtar policor”, thuhet në njoftim.

IPK së bashku me Policinë e Kosovës pas një hetimi disa mujor dhe aplikimit të masave të fshehta me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, më 7 tetor, kanë arrestuar zyrtarin policor inicialet e së cilit janë B. J.

“Arrestimi i zyrtarit policor B.J (punonjës i stacionit policor në Ferizaj) është bërë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” e paraparë me nenin 273 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.

IPK tha se gjatë kontrollit të detajuar, tek i dyshuari janë gjetur një sasi prej mbi 500 gram të substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë.

Zyrtarit policor të arrestuar me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar edhe një zyrtar policor-  punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse i njëjti nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës  tani të arrestuarin gjatë hyrjes së tij në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.