Foto: Ilustrim

Arrestohet për Marrje Ryshfeti Zyrtari i QPS-së

Policia e Kosovës sot gjatë ditës ka arrestuar dhe ka dërguar në mbajtje punëtorin e Qendrës për Punë Sociale (QPS) të Vushtrrisë me inicialet V.K.

I kontaktuar nga KALLXO.com për rastin në fjalë, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha ka thënë se personi është arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

“Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet V.K., serb, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, tha Hoxha.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Komunës së Vushtrrisë, Blerim Zhabarin, i cili e ka konfirmuar rastin.

Po ashtu, ai ka treguar se i arrestuari punon në Qendrën për Punë Sociale në Prelluzhë.

“Personi është punëtor i Qendrës për Punë Sociale me seli në Prelluzhë. Kjo qendër menaxhohet nga Komuna e Vushtrrisë”, tha Zhabari.