Foto-ilustrim

Arrestohet Pasi Rrëmben ish-Gruan

Viktima e këtij rrëmbimi sipas zyrtarëve të Policisë Rajonale të Pejës mbrëmë është nxjerrë me forcë nga një restorant ku po rrinte dhe në mënyrë të dhunshme është detyruar të futet në një makinë, e cila pastaj është larguar nga vendi i rrëmbimit.

Rrëmbimin sipas zyrtarit për media të Policisë Rajonale të Pejës Teki Syla e lajmëroi në polici personi që ishte me viktimën në restorantin e fshatit Zajm.

“Me datën 14/04/2016 rreth orës 20:40 në fshatin Zajm të Klinës në një restorant është njoftuar Stacioni Policor i Klinës nga ankuesi së deri sa ishte në shoqëri me një vajzë në restorant, dy persona të dyshuar nënë kërcënim dhe forcë kanë detyruar viktimën të futet në veturë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes,” tha Syla për KALLXO.com.

Ai bëri të ditur se policia ka reaguar shpejt duke arrestuar dy të dyshuarit, njëri nga të cilët ish-bashkëshorti i të rrëmbyerës.

“Njësitet Policore të Klinës në kontakt të vazhdueshëm me Stacionin Policor të Pejës kanë arritur ta ndalin veturën në hyrje të Pejës. Me këtë rast janë arrestuar  i dyshuari  E.A dhe B.M të cilët janë dërguar në mbajtje,“ theksoi Teki Syla.

Ai bëri me dije se gjendja e viktimës së rrëmbyer është e mirë.

Ky rast nga prokurori i shtetit është cilësuar si rrëmbim njoftoi për KALLXO.com zyrtari për media i Policisë së Pejës.