Ilustrim

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare në Lipjan gjatë vitit 1999

Një person i dyshuar për krime lufte është arrestuar sot. Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se, sot, gjatë ditës është arrestuar i pandehuri G. S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftim tutje bëhet e ditur se ndaj të dyshuarit ekzistojnë dyshime të bazuara se gjatë vitit 1999 në Komunën e Lipjanit ka kryer veprat kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G. S., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve përreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime i pandehuri G.S., sipas pretendimeve të Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale sot ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G. S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur.