Arrestimi i një të dyshuari- Foto: KALLXO.com

Arrestohet në Mitrovicë i kërkuari për grabitje të 2 mijë eurove  

Mbrëmë është bërë arrestimi i një 19 vjeçari, i cili ishte në kërkim nga policia  për një grabitje e cila kishte ndodhur me 14 maj të këtij viti në Vushtrri.

Policia në rajonin e Mitrovicës ka njoftuar se mbrëmë në rrugën “Mbretëresha Teutë”, në Mitrovicë, Njësia e Hetimeve Rajonale ka vërejtur se personi i  cili ishte në kërkim për grabitjen e cila ishte kryer në Vushtrri, ndodhej në një automjet i cili ishte në lëvizje.

Sipas njoftimit, policia ka arritur të përcjellë veturën në fjalë, ku edhe ka bërë arrestimin e personit të dyshuar, Ç.B, 19 vjeçar.

Policia në Mitrovicë tutje ka njoftuar se nga hetimet e deritanishme, dhe bazuar në deklaratën e viktimës, me 14 maj, i dyshuari ka vjedhur 2 mijë euro në një bankë në Vushtrri.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

KALLXO.com ka raportuar për grabitjen e cila ka ndodhur me 14 maj në filialin e një banke në Vushtrri.