Ilustrim

Arrestohet në Kukës një kosovar i kërkuar nga Interpoli

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se në Kukës është arrestuar një shtetas kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin e tij, në shtetin italian.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë në hyrje bënë ndalimin e shtetasit kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht të B. B, 54 vjeç, banues në Kosovë.

“Gjatë përpunimit të dokumentacionit, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Italia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjykata e Apelit në Milano, ka lëshuar ndaj tij urdhër “arrestin” ndërkombëtar, më datë 17.12.2004, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe neneve 73, 74 të Dekretit Nr.309/90.

“Në përfundim të veprimeve hetimore Specialistët e Sektorit për Hetimin eKrimeve në DVP Kukës, bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimi në shtetin italian si dhe referuan materialet për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë – Kukës”, përfundon njoftimi.