Ilustrim

Arrestohet mashtruesi pas tri vjetëve

Një 33 vjeçar me inicialet M. H është arrestuar pas tri vjetëve nga Policia e Kosovës.

Tri vite më parë 33 vjeçari kishte marrë një veturë me qira ndërsa nuk e kishte kthyer më.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin  e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj ka thënë për KALLXO.com se më 25 gusht të vitit 2015, i dyshuari kishte nënshkruar një kontratë me një biznes për vetura me qira, ndërsa nuk i ishte përmbajtur asaj.

“Me datë 25 gusht 2015 është hapur një rast për mashtrim. Një veturë është marrë me qira nga një biznes, ku të njëjtit kanë bërë marrëveshje, për datat 21 gusht- 23 gusht 2015. I dyshuari nuk i është përmbajtur kontratës ndërsa kishte marrë veturën dhe nuk ishte kthyer më”, tha Ahmeti, për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme sipas Ahmetit, i dyshuari është arrestuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

“Personi i dyshuar pas arrestimit është dërguar në stacionin policor jugu në Prishtine, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, shtoi Ahmeti.