Ilustrim

Arrestohet i dyshuari për vrasjen që ka ndodhur në shtator në Pejë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bastisur pronat e të dyshuarit për vrasjen e shtetasit A.D., krim që ka ndodhur në shtator të këtij viti.

Këto bastisje Policia i ka kryer më 11 dhjetor, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë.

“Bastisja është bërë në pronat e personit të dyshuar, meqë hetimet kanë çuar te dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprën penale të ‘Vrasjes së rëndë’ e cila ka ndodhur në muajin shtator 2018, viktimë e së cilit rast është shtetasi A.D. (1989)”, njofton Policia.

Policia e Kosovës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat për kryerjen e veprës penale ‘vrasje e rëndë ’, njofton policia.

Në komunikatën e policisë thuhet se i dyshuari në bazë të aktvendimit të lëshuar nga prokurori i shtetit është dërguar në mbajtje.