Foto: Ilustrim

Arrestohet i Dyshuari për Vdekjen e Biçiklistit

Sipas komunikatës së kësaj policie është arrestuar 59 vjeçari R. B. nga fshati Radevë e Graçanicës nën dyshimet për goditjen me makinë të personit me inicialet M. Q. në fshatin Slivovë të Ferizajt.

Policia njoftoi se dje i arrestuari po e voziste një makinë të tipit “Audi 80” kur në orën 17:46 goditi biçiklistin.

Sipas raporteve të policisë ngasësi i automjetit i cili ishte duke lëvizur nga Ferizaj në drejtim të Shtimes, me të arritur në fshatin Slivovë, godet biçiklistin që ishte duke qarkulluar në të njëjtin drejtim dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë, mjeku kujdestar i emergjencës së Ferizajt ka deklaruar se si pasojë e kësaj goditjeje dhe lëndimeve biçiklisti ka vdekur.

Komunikata e policisë bën të ditur se makina që dyshohet se goditi të moshuarin u identifikua pas punës operative në terren, pasi ngasësi i saj e dërgoi për riparim te një automekanik në fshatin Dubravë të Ferizajt.

I dyshuari është në fazën e intervistimit, ndërsa me vendimin e prokurorit të shtetit atij i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.