Himë Lufaj, i arrestuar dje në bazë të një urdhër-arresti të INTERPOL-it - Foto: KALLXO.com

Arrestohet Himë Lufaj, i Kërkuar nga INTERPOL-i

Himë Lufaj është vëllai i Ilmi Lufajt, i cili u vra me armë zjarri vitin e kaluar në qendër të Deçanit nga rreshteri policor Shefqet Kameraj.

Lajmin për arrestimin e Himë Lufajt e ka konfirmuar për KALLXO.com xhaxhai i tij, Musë Lufaj.

“Po është e vërtetë që është arrestuar Hima nga Policia. Nuk e dimë se a kanë qenë policë ndërkombëtarë apo vendorë. Edhe Hima edhe ne jemi të habitur me arrestimin e tij”, tha Musë Lufaj për KALLXO.com.

Sipas Musë Lufajt, nipi i tij akuzohet nga shteti austriak për një tentim-vrasje të një zyrtari policor në vitin 2009.

Por, ai thotë se Hima është i pafajshëm pasi që në atë kohë ai ishte në Kosovë.

“Na është thënë se po kërkohet për një tentim vrasje me thikë të një polici austriak në vitin 2009. Hima është deklaruar i pafajshëm sepse në atë kohë (viti 2009) ai ka qenë në Kosovë e jo në Austri”, tha Musë Lufaj.

Musë Lufaj thotë se Hima asnjëherë nuk është fshehur prej organeve policore dhe ka lëvizur lirshëm.

Arrestimin e Himë Lufajt e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Për KALLXO.com Hoxha tha se Lufaj ishte njëri prej dy personave më të kërkuar në botë nga drejtësia austriake që nga viti 2009.

“Lufaj ka qenë në kërkim për vjedhje me thyerje dhe vrasje në tentativë. Ai ka qenë njëri ndër dy personat më të kërkuar në botë prej Autoriteteve të Drejtësisë Austriake ndërsa që nga 2016 ishte edhe në web faqen e personave më të kërkuar të EUROPOL-it të quajtur ENFAST”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

Më tej, Daut Hoxha tha se arrestimi i të dyshuarit është bërë në kuadër të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me autoritetet austriake.

Ai tregoi se me përkrahjen e autoriteteve austriake më 2016 është themeluar në Policinë e Kosovës, respektivisht te Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), ekipi për persona te arratisur (FAST KOSOVA) dhe ky ekip ishte integruar në ENFAST (Europian Network for Fugitive Active Search Teams).

“Pas dorëzimit të rastit dje, më 23 maj 2017, nga autoritetet austriake te Ministria e Drejtësisë dhe mandej Prokuroria dhe gjykata kompetente, FAST Kosova së bashku me njësitin e vëzhgimit dhe NJSI (Njësia Speciale Intervenuese) të Policisë së Kosovës kane reaguar dhe ne orët e pasdites e kanë arrestuar Himë Lufajn në fshatin e tij të lindjes”, theksoi Daut Hoxha.