Arrestohet Arbër Zaimi, Aktivist i LVV-së nga Shqipëria

Lëvizja Vetëvendosje njofton se sot është arrestuar nga Policia e Kosovës edhe aktivisti tjetër i saj nga Shqipëria, Arbër Zaimi.

“Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë, dhe po aq e vendosur që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë. Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë.

Kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës”, thekson LVV përmes një komunikate.

Sipas Vetëvendosjes, kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës, prandaj bën thirrje që më 26 mars të dëshmohet vullneti për ndërrimin e “këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë”.

Po ashtu, LVV i bën thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde.

KALLXO.com ka tentuar të mësojë arsyet e arrestimit të Arbër Zaimit, por zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, nuk e ka hapur telefonin.

Ditë më parë Policia e Kosovës ka arrestuar dhe ka deportuar edhe aktivistin tjetër të Vetëvendosjes nga Shqipëria, Boiken Abazi, për të cilin është thënë se nuk figuron në regjistrat e hyrjes në territorin e Kosovës.

http://kallxo.com/boiken-abazi-deportohet-nga-kosova/

Deportimi i Boiken Abazit ka ngritur pikëpytje. Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes është personi i parë që është deportuar nga Kosova.

Ndërsa, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemajl Minxhozi, kishte thënë në një intervistë për KALLXO.com se ky është rasti i parë i autoriteteve kosovare dhe se autoritetet shqiptare po e shqyrtojnë këtë rast. Po ashtu, ai kishte thënë se Shqipëria nuk e ka deportuar asnjë shtetas të Kosovës.

http://kallxo.com/minxhozi-deportimin-e-abazit-e-mesova-nga-mediat/