Arrestohen Tre Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë

Prokuroria e Shtetit njoftoi sot se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas Prokurorisë së Shtetit arrestimi i zyrtarëve me inicialet B.N., K.M. dhe N.V u bë “për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatë bëhet me dije se është arrestuar edhe personi me inicialet XH. S, pronar i Kompanisë “Calabrija” në Gjilan, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale mashtrimi me subvencione.

Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për keqpërdorim të 200 mijë eurove.

Në nëntor të vitit të kaluar kur raportoi para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me gjetjet e raportit të auditorit, ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi u kritikua në lidhje me parregullsitë në ndarjen e subvencioneve dhe kontrollin e rrallë që u bëhet atyre që marrin ato.

http://kallxo.com/ministria-kritikohet-per-subvencione/