Arrestohen Tre Xhihadistë, Shtetas Rusë

Policia turke ka arrestuar sot në Antalya, në jug të vendit, tre anëtarë të dyshuar të “Shtetit Islam” (ISIS), një ditë pas një atentati vetëvrasës në Stamboll që i atribuohet lëvizjes xhihadiste.

Në këtë atentat, i kryer në një qendër turistike të Stambollit, janë vrarë dhjetë persona, prej tyre së paku tetë gjermanë, raporton AFP.

Forcat e rendit i kanë arrestuar tre burrat, të gjithë shtetas rusë, dhe kanë konfiskuar shumë dokumente, njofton agjencia e lajmeve Dogan, e cila nuk bën kurrëfarë ndërlidhje ndërmjet këtij operacioni dhe sulmit që ka ndodhur në Stamboll.

Të martën, 65 persona që dyshohet se janë pjesë e lëvizjes xhihadiste janë arrestuar në qytete të ndryshme të vendit, ka njoftuar agjencia proqeveritare e lajmeve Anadolu.

Autoritetet nuk kanë thënë nëse këto arrestime kishin të bënin me atentatin në qendrën historike të Stambollit.

Ndërsa, sipas kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, sulmuesi vetëvrasës ishte një shtetas i huaj, i cili ishte anëtar i ISIS-it. Po ashtu, sipas shefit të qeverisë turke, të gjitha viktimat ishin shtetas të huaj.

http://kallxo.com/shperthim-i-fuqishem-ne-stamboll-shume-te-plagosur/

Atentatin terrorist në Stamboll e kanë dënuar edhe udhëheqës të shumë shteteve dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

“Terrorizmi ndërkombëtar e tregoi edhe një herë veten, me fytyrën e tij të tmerrshme dhe çnjerëzore” ka deklaruar kancelarja Angela Merkel, vendi i të cilës është më i godituri nga ky atentat.

Sipas kancelares gjermane, ky sulm tregon edhe nevojën për t’u përballur me terrorizmin në mënyrë më të vendosur.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e kishte dënuar sulmin përmes zëdhënësit të tij Stephane Dujarric dhe kishte kërkuar që të bëhet gjithçka që kryesit të sillen para drejtësisë, raporton Anadolu.