Foto: Ilustrim

Arrestohen Tre të Dyshuar për Fajde

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e asistuar edhe nga Stacioni Policor i Gjilanit kanë zbatuar sot urdhëresën e gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Gjilan për kontrollimin e tri  lokacioneve – dy shtëpi banimi në Gjilan dhe një në fshatin Malishevë të Gjilanit.

Sipas Policisë, këto lokacione kanë qenë pronë e të dyshuarve  A.H. (1978), A.Xh. (1978) dhe A.R. (1981), të cilët janë arrestuar për dyshimin e përfshirjes në veprën penale – fajde.

Me këtë rast janë konfiskuar 3,000 franga zvicerane dhe 1,000 euro, 3 telefona mobilë si dhe fletore për shënime dhe dokumente të ndryshme (kontrata për shitblerjen e veturave).

Pas zbatimit të kontrollit janë intervistuar tre të dyshuarit të cilëve me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Dy javë më parë, KALLXO.com raportoi për arrestimin e një të dyshuari për fajde në Prizren, qytetë që kohëve të fundit është bërë arenë e arrestimeve dhe e gjykimeve të të dyshuarve për fajde.

http://kallxo.com/arrestime-te-reja-per-fajde-ne-prizren/

KALLXO.com është duke raportuar në vazhdimësi për procesin që po zhvillohet kundër 14 të akuzuarve për këtë vepër penale.

Ndërsa, në emisionin “Drejtësia në Kosovë“ është transmetuar ngjarja tragjike e familjes Mehana nga Mitrovica, dy djem të së cilës kishin bërë vetëvrasje për shkak të borxheve ndaj fajdexhinjve.