Foto: Ilustrim

Arrestohen Tre Hajna të Dyshuar në Prishtinë

Rreth orës 3:20 të mëngjesit të sotëm, Policia është informuar se disa persona po tentojnë të kryejnë një grabitje në rrugën “Hajrullah Abdullahu”, në Prishtinë.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku i kanë vërejtur personat e dyshuar.

Këta të fundit, porsa i kanë parë zyrtarët policorë kanë filluar të ikin me veturën e tyre “Golf IV”, me tabela RKS, në drejtim të rrethit te Flamuri.

Zëdhënësja e Policisë, Florije Ahmeti, ka thënë për KALLXO.com se sipas informatave që i ka ajo, personat që kanë tentuar ta kryejnë vjedhjen kanë qenë me fytyrë të mbuluar.

Sipas zëdhënëses, këta persona gjatë ikjes kanë hedhur nga vetura mjetet që dyshohet se i kanë përdorur në përpjekjen për kryerjen e veprës penale – vjedhje e rëndë. Njësitet policore kanë konfiskuar këto mjete të hedhura nga të dyshuarit: një palë dara, dy palë dorëza dhe një maskë për fytyrë.

“Pas identifikimit dhe arrestimit të tre personave të dyshuar, lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te prokurorit është hapur rasti tentim- vjedhje, për çka ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, ka thënë Florije Ahmeti.