Foto: Ilustrim
Arrestohen Pesë Zyrtarë të Kolegjit 'Mehmet Akif' në Kosovë
Sot në orët e mëngjesit janë arrestuar 5 persona të nacionalitetit turk, punëtorë të kolegjit “Mehmet Akif”.
Sipas informacioneve, 3 persona janë arrestuar në Gjakovë dhe dy të tjerë në Prizren.
KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë punëtorë të kolegjit “Mehmet Akif” dhe dyshohet që arrestimi është për shkak se mund të jenë të kërkuar për t’u ekstraduar.
Kolegji “Mehmet Akif” konfirmoi se të arrestuar janë: Drejtori i përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif”, Mustafa Erden; zëvendës drejtori i përgjithshëm, Yusuf Karabina; drejtori i shkollës në Gjakovë, Karaman Demirez; Cihan Oskan dhe Hasan H. Gunakan.
Kolegji tha se “ende nuk dihet vendndodhja e tyre”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani nuk dha detaje për arrestimet por konfirmoi se “Policia është duke e realizuar një operacion”.
“Për detaje do t’ju njoftoheni me kohë”, tha zëdhënësi Kelani për KALLXO.com.
Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar shtetasin turk Ugur Toksoy bazuar në një fletarrest të autoriteteve turke.
Por kërkesa për ekstradimin e tij në Turqi nuk ishte realizuar pasi prokurori i rastit, Ali Rexha, ishte tërhequr nga kjo kërkesë.
http://kallxo.com/terhiqet-kerkesa-per-ekstradim-te-ugur-toksoy-t/
Ky rast ka qenë temë debati edhe në emisionin “Jeta në Kosovë”.