Arrestohen Katër Persona për Vjedhje të Thëngjillit në KEK

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personave të arrestuar u është shqiptuar masa e  ndalimit prej 48 orësh.

Të arrestuarit janë  A. S,  41 vjeç,  A. M, 36 vjeç, A. B,  36 vjeç dhe S. G,  35 vjeç të gjithë shtetas  të Republikës së Kosovës.

“ Rasti ka ndodhur në zonën e KEK-ut, saktësisht në shiritin transportues, në pikën TML-1, nga ku katër persona të dyshuar kanë arritur që të grabisin thëngjill. Personat e dyshuar kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes pasi kanë goditur një punonjës sigurimi me automjetin e tyre, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore,” thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se këta persona kanë qenë të arrestuar edhe disa herë të tjera nga ana e policisë për raste të natyrës së njëjtë si  vjedhje, vjedhje të rënda, grabitje etj.

Sipas njoftimit të Policisë, grabitja në KEK kishte ndodhur në orët e mbrëmjes së  datës 8 shkurt  në fshatin Palaj të komunës së Obiliqit.

“Tre prej personave të arrestuar pasi që u është  shqiptuar  masa e ndalimit prej 48 orësh, me rekomandimin e Prokurorit të shtetit,  janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa i dyshuari S.G është dërguar në burgun e Dubravës , pasi që për të njëjtin kishte urdhër -arrest nga Gjykata Themelore (Divizioni Penal), për vuajtje të dënimit për një rast tjetër,”  thuhet në njoftimin e policisë.