Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen Gardianët pas Ikjes së të Burgosurit nga QKUK

Policia ka arrestuar dy gardianë burgu pasi që nga pakujdesia e tyre i dënuari, i cili ishte duke qëndruar në QKUK, ishte arratisur në drejtim të panjohur.

Arrestimi sipas raportit të përditshëm të Policisë ka ndodhur të premten rreth orës 21:30 në ambientet e QKUK-së.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Të ndaluarit po trajtohen nën dyshimin për lirim të paligjshëm i personit të privuar nga liria.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i burgosuri i arratisur ishte i dënuar me 30 vjet burgim.

“Mbrëmë, një i burgosur, i dënuar me 30 vjet, është arratisur nga QKUK-ja – ku ishte për trajtim. Për këtë, kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit”, shkroi dje Tahiri.

Një i burgosur kishte ikur edhe në mars të këtij viti gjatë trajtimit në QKUK, por në të njëjtën ditë ishte kapur nga policia.

Edhe Sami Lushtaku kur po trajtohej në QKUK, derisa mbahej në paraburgim dhe po përballej me akuzat për një vrasje gjatë kohës së luftës, ishte arratisur nga QKUK-ja.

Për këtë arratisje është ngritur aktakuzë dhe ka nisur gjykimi vitin e kaluar.