FOTO:Ilustrim

Arrestohen edhe dy persona për grabitjen në Mitrovicë

Tri netë më parë në rrugën “Nezir Miftari” në Mitrovicë, është raportuar për një grabitje të armatosur, ku disa persona dyshohet se kanë grabitur një person tjetër të komunitetit serb.

KALLXO.com ka konfirmuar nga ana e zëdhënësit të Policisë së Mitrovicës, Avni Zahiti se në lidhje me rastin gjatë ditës së djeshme janë vetëdorëzuar dy persona të cilët ishin shpallur në kërkim policor.

“Dy të dyshuarve V. H., 34 vjeç, dhe D. D., 20 vjeç, të dy  shtetas të Republikës se Kosovës,  pas procedurave intervistuese  u është caktuar masa e ndalimit policor”, tha Zahiti për KALLXO.com.

Që nga 29 janari deri më tani në lidhje me grabitjen janë arrestuar katër persona të dyshuar.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Rajonit të Mitrovicës ka njoftuar se kishte arrestuar një nga të dyshuarit.

“Të dyshuarit të arrestuar E. Ç. 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas procedurave intervistuese i është caktuar masa e ndalimit policor”, kishte njoftuar policia.

Ndërsa natën kur kishte ndodhur grabitja policia kishte arrestuar 42 vjeçarin me inicialet B. R.

Policia ka njoftuar se tri netë më parë në Mitrovicë një personi i janë grabitur disa para.