Foto: Arkiv

Arrestohen dy të Dyshuar për Financim të Terrorizmit

Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste dhe financim të apo lehtësim të terrorizmit.

Në rastin e parë në Prizren, gjatë ditës së djeshme është arrestuar i dyshuari P.D. i cili, sipas policisë, së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist në konflikt jashtë vendit.

Policia thotë se vepra ka ngelur në tentativë pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në tentativë që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit.

Ndaj të dyshuarit janë duke vazhduar hetimet edhe për mundësinë e përfshirjes së tij në raste tjera.

Në rastin e dytë, sot Policia në bashkëpunim me njësitë tjera policore dhe e mbështetur edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të personit F. R. në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

“Ndaj të dyshuarit F. R. që nga viti 2014 janë duke u zhvilluar hetime penale, nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka qenë në kontakt me persona dhe grupe të caktuara të personave nga Kosova, të cilët janë marrë me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, i dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit.

“Shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik janë arrestuar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kontroll janë konfiskuar dokumentacione dhe pajisje elektronike të cilat konsiderohen prova që ndërlidhen me vepra penale.

Sipas policisë ekziston dyshimi i bazuar se i arrestuari ka kryer veprat penale të rekrutimit për terrorizëm; organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist dhe lehtësimit në kryerjen e terrorizmit.