Arrestohen Dy Persona pas Raportimit të KALLXO.com

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona pas raportimit të KALLXO.com për skandalin në Fushë Kosovë ku qytetarëve u është ofruar kafe e ushqim në këmbim të votës për kandidatin e PDK-së.

Arrestimin për KALLXO.com e konfirmoi prokurori nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Dy persona janë arrestuar dhe janë duke u intervistuar nga prokurori i rastit. Dyshimi fillestar është për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, tha Munishi.

KALLXO.com do të përcjellë me vëmendje ecurinë e këtij rasti para organeve të ndjekjes.

KALLXO.com ka raportuar ku në të paktën tri raste kur kamarieri ka ofruar ushqime dhe pije në këmbim të premtimit për dhënien e votës.

Kamarieri i lokalit pronë e familjes së kandidatit të PDK-së për asamblenë e Fushë Kosovës në tri raste është filmuar teksa u ofron kafe dhe ushqim klientëve të cilët futen në lokalin e familjes Kolshi e të cilëve u kërkohej të votojnë numrin 5 në listën e asambleistëve të PDK-së.

Në tri rastet në të cilat KALLXO.com ka edhe video filmime shihet kamarieri dhe një familjar i kandidatit tek kryejnë zotimet.

http://kallxo.com/filmohet-afera-e-blerjes-se-votave-per-pdk-ne-ne-fushe-kosove/