Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy persona, i morën para një gruaje duke e shantazhuar me publikim të fotografive intime

Dy persona janë arrestuar nga Policia në Prishtinë nën dyshimin për shantazh.

Përmes një njoftimit policia ka njoftuar se  të dyshuarit janë arrestuar në dy operacione të ndara të zhvilluara dje dhe sot nga ana e njësisë rajonale për hetimin e krimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës.

Sipas policisë, arrestimi ka ndodhur si rrjedhojë e një denoncimi që viktima e rastit ka bërë pranë policisë disa ditë më parë.

“Nga hetimi preliminar që policia i ka bërë këtij rasti, është ngritur baza e dyshimit se të dyshuarit për një periudhë të caktuar kohore duke shantazhuar dhe shtrënguar viktimën me publikimin e disa fotografive eksplicite, kanë ndikuar te ajo që përkundër vullnetit të saj të marrin shuma të konsiderueshme të parave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në operacionin e djeshëm policia ka arritur që në flagrancë të kap dhe të arrestoj të dyshuarin  S. L., 19 vjeçar, dhe të njëjtin më pas me rekomandimin e prokurorit të shtetit ta procedoj në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh për vazhdimin e mëtejmë të hetimeve.

Ndërkohë që policia ka zgjeruar rrethin e hetimeve, ka identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të përfshirë në rastin në fjalë.

“Ndërkohë që hetimi ka vazhduar, ndërlidhur  me veprimet operative sot është arrestuar edhe i dyshuari i dytë  A. H.,  mashkull, 22 vjeçar për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është i implikuar në rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti po ashtu është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh për hetime të mëtejme.

I dyshuari i tretë, Sh. Ç.,  i njohur për policinë, aktualisht është në arrati dhe polica bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinon veprimet e nevojshme për të mundësuar kapjen e tij.