FOTO ILUSTRIM

Arrestohen 6 të Dyshuar për Vjedhje

Hetuesit policorë të stacionit policor në Vushtrri kanë arritur dje të identifikojnë dhe të arrestojnë gjashtë persona, të cilët dyshohen për kryerje të disa veprave ‘vjedhje e rëndë’ dhe ‘asgjësim i pasurisë se paluajtshme’.

Siç njofton Zyra për Informim Publik e Drejtorisë Rajonale të Policisë – Mitrovicë, këto raste ishin raportuar muaj më parë në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor në Vushtrri.

Cak i kësaj vjedhjeje ishte një shtëpi private, nga ku të dyshuarit kishin vjedhur stoli ari, bizhuteri, televizor.

Hetimet policore nën autorizimin e prokurorit kishin nisur muaj më parë operacionin për zbardhjen e veprës penale, me ç’rast janë identifikuar dhe arrestuar gjashtë të dyshuar: B.M., 17 vjeçar, G.H., 16 vjeçar, A.S., 16 vjeçar, G.M., 16 vjeçar., F.A., 19 vjeçar, dhe A. F., 18 vjeçar.

Në cilësi te provave materiale te të dyshuarit Policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të bizhuterisë dhe një televizor që ishin raportuar të vjedhura.

Pas procedurave intervistuese, tre të dyshuarve te parë u është caktuar masa e  arrestit shtëpiak, ndërsa të tjerët janë liruar për procedurë te rregullt.