Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen 10 persona për cenim të së drejtës së autorit

Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar për veprat penale cenim i të drejtave autoriale dhe tregti e ndaluar.

Aksioni i policisë është kryer dje në pesë rajone: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Gjakovë.

“Gjatë realizimit të këtij operacioni me urdhëresë të gjykatës kompetente janë kontrolluar dhjetë lokale-biznese, dy shtëpi-banesa, janë arrestuar dhjetë persona si dhe janë sekuestruar pesë shtëpiza kompjuterike, katër llaptopë, dy telefona mobilë, 33 andorid box, një televizor, katër USB, dy fletore pune dhe dy fatura”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, ekziston dyshimi se të arrestuarit me veprimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke shitur platforma të kanaleve televizive të njohura si IPTV pa leje dhe pa autorizim paraprak.

Policia dyshon se të arrestuarit kanë shkelur edhe të drejtën autoriale të subjekteve të cilët kanë autorizimin dhe të drejtën ekskluzive për emetimin e kanaleve televizive.

“ Me këto veprime, të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale cenim i të drejtave autoriale dhe tregti e ndaluar. Me autorizim të prokurorive përkatëse të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt”, njofton policia.