Panelistët nga Kosova anulojnë pjesëmarrjen në Forumin e Beogradit për Sigurinë - Foto: Facebook

Arrestimi i Thaçit, Kosova Bojkoton Forumin e Beogradit

Arrestimi nga Serbia i drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës Jugore, Nehat Thaçit, është arsyeja kryesore pse zyrtarë të institucioneve qendrore të Kosovës kanë vendosur ta anulojnë pjesëmarrjen në Forumin për Sigurinë që do të zhvillohet pasnesër në Beograd.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili është në listën e panelistëve të Forumit, ka thënë për KALLXO.com se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

“Për shkak të moslirimit të drejtorit të Policisë, Nehat Thaçit, nga autoritetet serbe, nuk do të shkoj në këtë Forum”, tha Gecaj për KALLXO.com.

Gecaj tha se i kanë njoftuar organizatorët e Forumit se nëse drejtori i Policisë, Nehat Thaçi, nuk lirohet deri në ora 16:00 të ditës së sotme atëherë ai dhe zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, nuk do të udhëtojnë drejt kryeqytetit serb.

“Kemi pritur deri në ora 16:00 dhe ata nuk e kanë liruar drejtorin e Policisë së Kosovës dhe ne i kemi njoftuar organizatorët se nuk do të marrim pjesë“, tha më tej Gecaj.

Përveç Gecajt e Ilazit në pjesën e dytë të Forumit për Sigurinë është paraparë që nga Kosova të marrin pjesë edhe deputeti Ilir Deda, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje Dukagjin Gorani, si dhe pjesëmarrës të tjerë nga organizata të ndryshme.

Në një prononcim për KALLXO.com deputeti Ilir Deda tha se një prej arsyeve pse kanë vendosur të mos shkojnë në Beograd është arrestimi dhe moslirimi i drejtorit të Policisë, Nehat Thaçi, “por edhe veprimet dhe tendencat e kohëve të fundit të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën”.

Ata është paraparë të jenë panelistë gjatë diskutimit me temën “Dialogu Beograd-Prishtinë dhe e ardhmja e BE-së“.

Drejtori i Policisë së Mitrovicës Jugore, Nehat Thaçi, është arrestuar më 29 shtator në pikën kufitare Dheu i Bardhë dhe në Serbi po përballet me akuza për terrorizëm.

http://kallxo.com/nehat-thaci-dyshohet-per-terrorizem/

 

Sipas organeve serbe të drejtësisë, Thaçi dyshohet se ka marrë pjesë në dëbimin e një familjeje serbe nga Lipjani në korrik të vitit 1999, duke e kërcënuar këtë familje me bombë.

http://kallxo.com/nehat-thaci-mohon-akuzat-per-terror-ndaj-serbeve/