Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç me anëtarët e presidencës boshnjake Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq. Foto: Anadolu

Arrestimi i Kroatëve Rrezikon Marrëdhëniet Bosnjë-Kroaci

Ministria e Jashtme e Kroacisë dhe qeveria lokale e kantonit të Posavinës në Bosnjë e Hercegovinë, ku janë kryer krimet e pretenduara të luftës, kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me arrestimin e dhjetë ish-luftëtarëve kroatë të Bosnjës.

Shoqatat e veteranëve kroatë të Bosnjës gjithashtu i dënuan ashpër arrestimet, duke këmbëngulur se gjatë konfliktit të viteve 1992-1995, kroatët e Bosnjës po bënin një luftë mbrojtëse dhe duke pretenduar se arrestimet kishin si qëllim kanosjen e kroatëve në vend.

Ish-luftëtarët e Këshillit Kroat të Mbrojtjes u arrestuan të hënën nën dyshimin se kanë kryer krime kundër serbëve nga prilli 1992 deri në korrik 1993 në Orasje, një qytet me shumicë kroate në kantonin Posavina në Bosnjën veriore.

Ndër të arrestuarit ishin edhe Gjuro Matuzoviq, një gjeneral në pension i Këshillit Kroat të Mbrojtjes, si dhe Marko Dominkoviq, gjithashtu një anëtar i lartë i Këshillit Kroat të Mbrojtjes gjatë luftës dhe një ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Shtetërore Boshnjake për Hetim dhe Mbrojtje, SIPA.

Pas operacionit të Policisë, Ministria e Jashtme kroate i bëri thirrje ambasadorit kroat në Bosnjë, Ivan del Vechio, të kërkojë informacione të detajuara rreth arrestimeve dhe të përpiqet të takojë të dhjetë të dyshuarit, të cilët gjithashtu kanë nënshtetësi kroate.

Zyrtarët kroatë thanë për BIRN se pavarësisht vlefshmërisë së supozuar ligjore të arrestimeve, koha kur ndodhi kjo – vjen pas vizitës së parë zyrtare nga kryeministri i ri kroat Andrej Plenkoviç në Bosnje, dhe pak para festës katolike të Ditës së të Gjithë Shenjtorëve – ishte e pavend.

Ata thanë se kjo mund të dëmtojë përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve pas vizitës së Plenkoviçit.

Qeveria e kantonit të Posavinës e kritikoi gjithashtu kohën e këtij operacioni.

“Qeveria kantonale e Posavinës beson se momenti në të cilin u zhvillua veprimtaria e SIPA-s dhe e prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës ishte e papërshtatshme, duke pasur parasysh se po afron festa katolike e Ditës së të Gjithë Shenjtorëve”, tha ajo në një deklaratë.

Media kroate raportoi shqetësim të mëtejshëm në lidhje me operacionin policor.

“Shoqata e veteranëve kroatë të Bosnjës: ‘Arrestimi po kërcënon qytetarët e Orasjes, gjë e cila kontribuon në emigracionin e mëtejshëm të tyre”, raportoi gazeta kroate “Vecernji List” të martën.

Media të tjera kroate dhe kroate të Bosnjës vazhduan me raportime të ngjashme, disa prej tyre duke bërë thirrje për një takim urgjent të parlamentit kroat të Bosnjës për të trajtuar situatën.

Marrëdhëniet midis Bosnjës dhe Kroacisë kanë qenë tepër të tensionuara gjatë muajve të fundit për shkak të trazirave politike në të dy vendet, si edhe mbështetjen e nënkuptuar për thirrjet e kroatëve të Bosnjës për një entitet të tretë me shumicë kroate në vend.