Seanca gjyqësore për vrasjen e Ferdinand Gjinit. Foto: Kallxo.com

Arrestimi i 4 të Dyshuarve Shtyn Gjykimin për Vrasjen e Ferdinand Gjinit

Rigjykimi për vrasjen e Ferdinand Gjinit në qershor të vitit 2014 është shtyrë sërish pasi trupi gjykues miratoi kërkesën e prokurores për shtyrje deri në plotësimin e kushteve ligjore për mbajtjen e saj.

Arsyetimi i saj për këtë shtyrje ishte se ndërkohë janë arrestuar edhe katër persona të tjerë për këtë vrasje të ndodhur në Llugë të Deçanit më shumë se tri vjet më parë.

Rasti i kësaj vrasjeje ishte gjykuar më parë nga Gjykata Themelore në Pejë kur i akuzuari Gjon Pnishi ishte dënuar me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në Gjykatën Themelore të Pejës, me të filluar seanca gjyqësore e kthyer në rigjykim, prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, kërkoi që gjykimi të shtyhet sepse lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar edhe katër persona tjerë të dyshuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Prokurorja Disha Haxhosaj tha se dy prej të dyshuarve janë arrestuar në shtetin e Zvicrës. Ajo tha së aktvendimi për fillimin e hetimeve ishte marrë pas dhënies se deklaratës nga i pandehuri Gjon Pnishi.

“Lidhur me rastin ne fjalë janë arrestuar 4 persona, dy prej tyre, Avni e Murat Sinani, të cilët gjenden në paraburgim. E po ashtu edhe dy të tjerë, Bekim Raja dhe Leonard Pnishi janë arrestuar në Zvicër, të dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë e kryer në bashkim kriminal. Pasi që aktgjykimi i shkallës së parë është kthyer në rigjykim për të akuzuarin Gjon Pnishi, Prokuroria e Pejës pas dhënies së deklaratës nga i pandehuri Gjon Pnishi, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve, Bekim Raja, Leonard Pnishi, Avni e Murat Sinani”, tha prokurorja.

Për arrestimin e Avni e Murat Sinanit nga Policia e Kosovës si të dyshuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit, KALLXO.com kishte raportuar  në muajin mars të këtij viti.

http://kallxo.com/arrestohen-dy-persona-per-vrasjen-e-ferdinand-gjinit/

Prokuroja shtoi se ka bërë kërkesë përmes Ministrisë së Drejtësisë tek autoritetet zvicerane që dy të dyshuarit të ekstradohen në Kosovë.

“Shteti i Zvicrës ka pranuar kërkesën tonë për ekstradim, por me qellim të përshpejtimit të procedurës, e pasi që i pandehuri Gjon Pnishi është në paraburgim, unë kam bërë kërkesë autoriteteve zvicerane përmes Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, që unë si prokurore së bashku me hetues, mbrojtës, përfaqësues të dëmtuar të palës së dëmtuar, të shkojmë në Zvicër dhe ta bëjmë intervistimin e të pandehurve me qëllim që të mos prolongohet kjo çështje penale”, tha prokurorja Valbona Disha Haxhosaj.

Ajo shtoi se ka pranuar përgjigje nga autoritet zvicerane, rreth kërkesës së ekstradimit të dyshuarve. Nga një kopje të përgjigjes se autoriteteve zvicerane, prokurorja Disa-Haxhosaj iu dorëzoi edhe palëve në gjykatë.

“Shkalla e parë ka vendosur për ekstradim dhe se lënda është me ankesë dhe përderisa është duke u zhvilluar procedura e ekstradimit ndaj dy të dyshuarve, Zvicra nuk ka bazë ligjore për ta lejuar pjesëmarrjen tonë në Zvicër për ta kryer intervistimin e po ashtu janë arsyetuar për faktin se afatin të cilin e ka dhënë prokuroria nuk munden me ba një organizim të tillë. Ashtu që unë kam marrë premtim që më së largu edhe gjashtë muaj, siç më është thënë”, tha ajo

Prokurorja theksoi së kjo është arsyeja që kjo seancë të shtyhet sepse “nuk mund të zbardhet e vërteta vetëm me të pandehurin Gjon Pnishi”.

Ajo kërkoi që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj Gjon Pnishit me arsyetimin për shkak të sigurisë se tij.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit, Gjon Pnishi, avokati Ndrec Dodaj, tha se nuk e kundërshton propozimin e prokurores.

“Kemi të bëjmë me një me një bashkim kriminal, ku nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtij shqyrtimi do vërtetohet përgjegjësia e gjithë atyre që janë të përfshirë në hetime, si dhe do shtohet numri i të dyshuarve në këtë rast. Në këtë çështje penale nuk mund ta merrni një zgjidhje të drejtë nëse nuk do mbahet një shqyrtimi i përbashkët me të gjithë”, tha avokati Dodaj.

Avokati i Gjon Pnishit e mbështeti propozimin e prokurores që ndaj klientit të tij të vazhdohet masa e paraburgimit për shkak të sigurisë së tij.

Ai tha se familja e Gjon Pnishit vazhdimisht është duke marrë kërcënime dhe shantazhe në forma të ndryshme dhe se me kërcënime të njëjta po përballet edhe ai si avokat.

“Të njëjtat kërcënime i kam edhe unë për fat të keq, me qëllim që unë të largohem nga mbrojtja e tij”, tha avokati Dodaj.

Ferdinand Gjini ishte vrarë me armë zjarri në urën që lidh fshatrat Llukë dhe Prapaqan më 26 qershor 2014.

http://kallxo.com/zbulohet-identiteti-i-te-vrarit-ne-decan/