Arrest Shtëpiak të Dyshuarve për Kontrabandim Barnash

Masa e arrestit ndaj të dyshuarve është caktuar përkundër kërkesës së prokurorisë që atyre t’u shqiptohet paraburgimi.

Kastriot Vitia, Skender Rushiti, Arton Osmani, Visar Ademi, Adrian Ahmeti, Albert Ahmeti, Nezir  Zogaj, Ali Bislimi dhe Amir Jetullahu u arrestuan më 27 janar gjatë një aksioni të policisë kundër të dyshuarve për kontrabandim barnash.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.

Në arrati janë edhe dy të dyshuar- Bashkim Ademi dhe Xhengiz Haxhiski.

Mbrojtësi i të pandehurit Albert Ahmeti, avokati Naim Rudari  tha për KALLXO.com se prokuroria nuk e ka arsyetuar me prova kërkesën për paraburgim.

“Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit, po sa i përket të mbrojturit tim nuk e ka arsyetuar me as edhe një provë. Gjykata ka refuzuar këtë kërkesë dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të mbrojturit tim, masë kjo e cila është e rëndë për të mbrojturin tim, mirëpo pasi që është ngritur një aktvendim për fillim te hetimeve ndaj të mbrojturit tim kjo masë është e pranuar tani për tani për ne,” tha avokati Rudari.