Ilustrim

Arrest shtëpiak punëtores shëndetësore që u arrestua për 400 euro ryshfet

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masës e arrestit shtëpiak të dyshuarës me iniciale F.C. e cila u arrestua në dyshimin se kërkoi ryshfet dhe keqpërdori detyrën e saj si punëtore shëndetësore.

Sipas njoftimit të Gjykatës, F.C dyshohet se kërkoi para për rregullimin e dokumenteve mjekësore nga e dëmtuara me iniclae M.G.

“Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura F.C duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke kërkuar dhe pranuar para nga e dëmtuara M.G për përshpejtimin e rregullimit të disa dokumenteve mjekësore për të dëmtuarën”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi në lidhje me këtë rast.

“Pas një pune hetimore profesionale, me datë 02.04.2019, pasi e dyshuara (F.C.) është takuar me viktimën e rastit dhe nga ajo ka marrë shumën e parave në vlerë prej 400 euro për t’i rregulluar dokumentacionin e lartcekur, menjëherë pas marrjes së parave e dyshuara është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë

Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është e arsyeshme për zhvillimin e procedurës penale pa pengesë në sigurimin e prezencës së të pandehurës në procedurë, ndikimin në të dëmtuar apo dëshmitarë dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.