
Gjykata Themelore në Gjilan
Arrest Shtëpiak Për Tri Mjeket e Gjilanit
Gjyqtari Agim Ademi refuzoi kërkesën për paraburgim ndaj Shaqirit e Zeqirit, por ndaj tyre vendosi masën e arrestit shtëpiak, njëjtë siç aprovoi arrestin shtëpiak prej 1 muaji për Vjollca Kosumin.
Sipas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan Arben Ismajli për caktimin e masave të sigurisë ndaj mjekeve, tri doktoreshat dyshohen se më 3 shkurt të këtij viti në Repartin e Gjinekologjisë së Spitalit Regjional të Gjilanit në bashkëkryerje, me mosveprim e me dashje eventuale kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore tani të ndjerën Arbenita Spahiun.
Në kërkesë thuhet se pacientes Spahiu mjeket nuk i kanë kryer kontrollin e plotë për t’ia caktuar diagnozën e saktë, ashtu që kanë ndërhyrë kirurgjikisht duke mos iu dhënë udhëzimet e duhura personelit mjekësor”.
Me këtë sipas prokurorisë, dy mjeket kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.
Prokuroria pretendon se pacientes Spahiu nuk iu dha ndihma mjekësore nga të dyshuarat as më 2 mars.
“Të pandehurat nuk i kanë ofruar ndihmë mjekësore tani të ndjerës, edhe pse asaj i është nevojitur ndihma për shkak të komplikimeve, ku më pastaj ka pësuar shok hemorragjik,” thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Prokuroria dyshon se tri mjeket kanë kryer edhe veprën penale mosdhënie e ndihmës mjekësore.
Arbenita Spahiu, 27 vjeçarja që kishte ardhur në spital për ta lindur foshnjën e saj, vdiq një ditë më pas, më 3 mars.