Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrest Shtëpiak Për të Dyshuarin që Sulmoi Policin

I dyshuari C.H. më 22 qershor, rreth orës 14:00, në afërsi të stacionit policor në Jugun e Mitrovicë dyshohet se e kishte sulmuar zyrtarin policor të Kosovës duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në Aktvendimin e kësaj gjykate, kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com, zyrtari policor e ka përshkruar ngjarjen dhe lëndimet që kishte marrë si pasojë e sulmit.

“E ka hapur derën e automjetit dhe më ka thënë diçka në gjuhën shqipe, më ka goditur me kokë në pjesën e hundës, buzëve dhe pjesën e majtë të fytyrës. Pas goditjeve, për një kohë e kam humbur të pamurit dhe pas që më është kthyer të pamurit e kam parë se më ka goditur dhe edhe për një kohë e kam humb edhe dëgjimin”, përshkruhet deklarata e policit.

Prokurori Naim Beka në kërkesë kishte kërkuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarin C.H.  Aty ai ka thënë se i dyshuari është i njohur për organet e sigurisë edhe për vepra tjera penale.

Mirëpo gjykata e Mitrovicës nuk e kishte marrë parasysh kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit dhe të njëjtin e kishte dërguar në arrest shtëpiak.

Prokurori Beka tha se ka përpiluar ankesë për shkallën e dytë.

Ndërsa ankesë ka parashtruar edhe Fatmire Braha, avokatja e të dyshuarit e cila tha së klienti i tij “nuk e ka ditur së po e sulmon një person zyrtar”.

“Qysh ka deklaruar edhe klienti im në deklaratën e tij nuk e ka ditur që ka sulmuar person zyrtar pasi që i njëjti ka qenë pa uniformë të policisë. Sipas tij, ata janë kacafytur për diçka në komunikacion”, tha Braha për KALLXO.com.

Gjykata e Apelit në Prishtinë pritet të vendosë lidhur më dy ankesat që kanë shkuar kundër të dyshuarit C.H. i cili dyshohet për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.