Ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke mohuar akuzat në një konferencë për shtyp në Tiranë më 17 tetor 2017. Foto: LSA

Arrest shtëpiak për Saimir Tahirin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ditën e sotme masën e ndalimit arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Tahiri akuzohet zyrtarisht nga Prokuroria për trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.

“Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës. Caktimin e masës së sigurimit personal ‘Arrest në shtëpi’, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Tahiri si person i dyshuar për kryerje të veprave penale ‘Trafikimi i narkotikëve’ në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata urdhëton Tahirin të mos largohet nga banesa e tij në Tiranë.