Arrest shtëpiak për gjilanasin që dyshohet se rrahu gruan

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit B. P. në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi që ai dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht gruan e tij.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28.06.2019, në rrugën “Ahmet Prishtina” në Gjilan, i pandehuri ka shkaktuar dhunë në familje me dashje me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor të bashkëshortes së tij, ashtu që fillimisht fjalosen dhe më pas e sulmon fizikisht.  Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘sulmi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Tutje po ashtu bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

“Gjyqtari ka konsideruar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak garanton zhvillimin normal të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, përfundon njoftimi.