FOTO nga vendi i ngjarjes - Novoberde ku dyshohet se jane asgjesuar ilegalisht barnat- 09.11.2018

Arrest shtëpiak për drejtorin dhe laborantin e QKMF-së për asgjësim ilegal të barnave në Novobërdë

Rrahim Veliu e Lulzim Llapashtica do të qëndrojnë për një muaj në arrest shtëpiak, kjo sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Rrahim Veliu drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Novobërdë si dhe Lulzim Llapashtica laborant i mjekësisë në po këtë qendër, po akuzohen nga Prokuroria se kanë bërë ndotjen dhe degradimin e ajrit, ujit dhe tokës në atë mënyrë që pa pasur licencë-leje përkatëse të organeve kompetente dhe vend e furrë adekuate dhe të standardizuar për asgjësimin të barërave kanë asgjësuar barna të llojeve të ndryshme. Sipas Prokurorisë dy të dyshuarit nga djegia jo e rregullt e barnave nga na e tyre, prej personave që nuk janë të specializuar e as të thirrur për ndërmarrjen e një veprimi të tillë është shkaktuar një rrezik i madh për shëndetin dhe jetën e njerëzve, botën bimore dhe atë shtazore.

Sipas kësaj mase të sigurisë të vendosur nga Gjykata e Gjilanit, të pandehurit gjatë kësaj kohe nuk guxojnë që gjatë periudhës prej një muaji të largohen nga shtëpitë e tyre e po ashtu nuk guxojnë të komunikojnë me dëshmitarët e as me familjarët e tyre dhe me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo të cilët nuk janë të varur nga të pandehurit.

Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj këtyre dy të pandehurve nën dyshimin për kryerje të veprës penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

Sipas Prokurorisë së Shtetit ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale në fjalë si dhe ekzistojnë kushtet ligjore për një gjë të tillë, duke shtuar se ne poqe se të njëjtit gjenden në liri ekziston rreziku, që do të mund të ndikojnë në dëshmitaret, në të pandehurit, si dhe përsëritjen e veprës penale.

Ndërsa mbrojtësit e të pandehurve e kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke i propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të caktoj ndonjë masë alternative të sigurisë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Rrahim Veliu e Lulzim Llapashtica që nga fillimi i vitit 2014 e deri në dhjetor të vitit 2018 në kohë të ndryshme në Novobërdë në oborrin e QKMF-së në kundërshtim me Ligjin për produktet dhe pajisjet medicinale, Udhëzimit administrativ për trajtimin e mbeturinave nga produktet medicinale, Ligjit për mbeturinat dhe Udhëzimin Administrativ për menaxhimin e mbeturinave medicinale, humane dhe veterinare kanë bërë ndotjen dhe degradimin e ajrit, ujit dhe tokës në atë mënyrë që janë marrë vesh në mes vete dhe pa pasur licencë-leje të duhur të organeve kompetente dhe vend e furre adekuate dhe të standardizuar për asgjësimin të barërave kanë ndërmarrë veprime dhe kanë inkurajuar dhe angazhuar edhe personel tjetër të kësaj QKMF-je  dhe në një furrë të zakonshme që ishte ndërtuar më parë në oborrin e QKMF-së në Novobërdë për asgjësimin e mbetjeve medicinale kanë asgjësuar barna të llojeve të ndryshme, me ç’rast nga djegia jo e rregull e tyre  prej personave që nuk janë të specializuar e as të thirrur për ndërmarrjen e një veprimi të tillë është shkaktuar një rrezik i madhe për shëndetin dhe jetën e njerëzve, botën bimore dhe atë shtazore, rrethana këto të mjaftueshme për arsyetimin e veprës penale, rrezikshmërinë dhe përsëritjen në vazhdimësi të veprës penale.

Gjyqtarja e procedurës paraprake duke vendosur kundrejt kërkesës së Prokurorisë vlerësoi se në rastin konkret përmbushën të gjitha kushtet e nevojshme për caktimin e masës së arrestit.

Pasi që sipas Gjyqtares së procedurës paraprake Emine Salihu, përveç dyshimit të bazuar në rastin konkret plotësohet edhe kriteri ligjor ngase duke i marrë për bazë natyrën e veprës penale, si dhe faktin se Prokurori i Shtetit i ka filluar hetimet dhe lidhje me këtë çështje do të dëgjohen të pandehurit dhe dëshmitaret, sipas Gjykatës ekziston rreziku real se poqe se të pandehurit gjenden në liri të plotë, si dhe të pakufizuar në kontakte dhe lëvizje, përveç se mund të ndikojnë në dëshmitarët do të mund ta pengonin rrjedhën normale të procedurës duke i dëmtuar hetimet dhe zbardhjen e plotë të rastit.